Zonja që sapo dëgjuat duke folur është zyrtare publike, konkretisht menaxhere personeli në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës që kontrollohet nga Ministria e Kulturës.
Në komunikimin që VOX Kosova pati me të, ajo e rënduar emocionalisht deri në vaj, rrëfen presionin që po e përjeton nga Imer Hakaj – ushtrues detyre i Drejtorit në këtë Agjenci, person i afërt me Ministrin në detyrë, Hajrulla Çekon.
Çështja është kjo: Përmes një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ministri Çeko u detyrua ta shkarkojë Hakajn nga ushtrimi i detyrës së Drejtorit në Agjencinë në fjalë.
Ndër të tjera, Këshilli kishte konstatuar se kur ministri Çeko e kishte emëruar Hakajn aty, kishte konsumuar tri shkelje ligjore. Thënë me qartë, kishte injoruar zyrtarët nga hierarkia që do të duhej të merrnin atë pozitë, duke e katapultuar Hakajn nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.
Por Çeku s’e la me kaq dhe në formë krejtësisht të paprecedentë e ktheu Hakajn aty ku ishte.
Për ta plotësuar kinse normën juridike të kërkuar, Hakaj fillimisht më 21 nëntor u shkarkua, pastaj paraditen e 25 nëntorit u transferua në Departamentin për Planifikim, Projekte dhe Menaxhim të Komplekseve Memoriale e pasdite me vendim të Çekut u kthye si ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv në Agjenci.
Për t’u realizuar ky plan, u ushtrua presion i hatashëm mbi zyrtaren që dëgjuat në fillim të kësaj videoje.
Kjo ngase Departamenti ku fillimisht Hakaj u transferua, ishte jo-funksional që disa vjet e s’kishte as buxhet të ndarë për të. Pra krejt procesi ishte farsë dhe kundrligjor. Zyrtarja në fjalë, pasi nënshkroi transferimin, hoqi firmën e saj dhe rrëfeu të gjithë ngjarjen përmes një email-i që ka siguruar VOX Kosova.
“Ju njoftoj që kërkesa është nënshkruar nga unë në pozitën e Menaxheres së Personelti, drafti i kërkesës i hartuar më ka ardh nga z. Imer Hakaj, kam qenë nën presion të tij për ta nënshkruar”, thuhet në email-in e saj drejtuar disa zyrtarëve tjerë të Ministrisë.
Në gjendje të rënduar emocionale, e njëjta u shfaq kur i dha përgjigje VOX Kosovës për çështjen në fjalë.
“Edhe ky më ka thanë… unë tash e kam pasë frikën që nëse nuk ja nënshkruaj këtë dokument, ky ka dashtë me gjetë një mënyrë me ardhë prapë drejtor edhe e di që puna e parë që ish ardhë, nëse unë s’ja kisha nënshkru, më kish qitë në Komision Disiplinor, kish marrë vendime ndaj meje që nuk janë… ose gjithçka është e mundshme”, rrëfen ajo.
“Edhe më ka ba presion për me ja nënshkru, edhe e kam pasë prej momentin kur u ardhë në punë. Prej 2023-ës kur u ardhë ky në punë unë kam pasë presion prej tina. Pa kurgjo hiç. Pa më njoftë, pa e ditë. Javën e parë që ka ardhë, ky më ka ba presion edhe më ka ofendu para zyrtarëve tjerë”, shton.
“Po, po… Nuk po muj se jam shumë… prej kur ka ndodhë ajo ditë që kam nënshkru edhe deri sot unë nuk jam e qetë edhe nuk jam kurrkah. Se unë s’jam kanë problem kurrë për kërkan. Për mu nuk u kanë e rëndësishme kush vjen drejtor”, rrëfen ajo.
Presionet ndaj punëtorëve ndërkaq i mohon Hakaj. VOX Kosovës i tha se po tenton që punën e tij ta kryejë me nderë.
“Unë po të betohna ty edhe çdocilit organ në vend, edhe gazetarisë edhe çdo… në jetën teme kujt presion s’i kam ba. Keni me e marrë vesh në fund sepse është një person që i bart këto dhe unë jam tu u munu me e kry punën teme me nder. Nuk jam ai personi zyrtar që ushtroj veprime dhe presione. Do të dalin në shesh të gjitha veprimet e organeve dhe krejt, sepse po të betohna se nuk jam ai presioni që ushtroj”, thotë Hakaj.
Në lidhje me çështjen, siç mëson VOX Kosova tanimë është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Nga Ministria e Kulturës ndërkaq, s’u përgjigjën kur iu kërkuam sqarime për atë që ka ndodhur.
Imer Hakaj, në pah doli kur në cilësinë e drejtorit për Trashëgimi Kulturore kishte marrë bajrakun e betejës mes ministrit Hajrulla Çeko dhe kryetarit të Prishtinës Përparim Rama në lidhje me ndaljen e punimeve në sheshin “George Bush”.
Por, as Çeko nuk e la pa ia kthyer borxhin. Për të shkeli tri herë ligjin e po vazhdon t’ia sigurojë pozitën përmes veprimeve që s’janë parë ndonjëherë në institucione publike.
Natyrisht, nga Qeveria për dosta, funksionarët e se cilës sfidojnë komplet aparatin shtetëror dhe strukturat ligjore të krijuara e mirëmbajtura për mbi 20 vjet.