Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur lidhur me deklaratën e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, se Kurti ia ka bartur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit për shkak të tij.
Kurti ka thënë se ka folur zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka dhe se e ka sqaruar Ministri Rashiç.
“Ka folur tashmë zëdhënësi ynë, Arlindi, e po ashtu e ka sqaruar edhe Ministri”, ka thënë Kurti.
Në një reagim të dielën, Manxhuka pretendoi se Rashiç e ka ngatërruar plotësimin e kërkesës së tij nga Kurti. Sipas Manxhukës, Rashiç-it i është pranuar kërkesa për pranimin e vizitës së Patriarkut Porfirije.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, shkroi Manxhuka në Facebook.
Të hënën, pas reagimeve të shumta, Rashiç u tërhoq nga deklarata e tij e bërë në “Radio Gorazhdevci” se Kurti, për shkak të tij, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2024 t’ia bart 24 hektarët Manastirit të Deçanit.
“Deklarata ime nuk ishte plotësisht e saktë, sepse e ngatërrova atë fjali me një bisedë që ndodhi më parë, kur miratova vizitën e Patriarkut serb. Gabimi im ishte i paqëllimshëm dhe ndërrimi i ngjarjeve ndodhi sepse kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë”, tha Rashiç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.









