Gresë Krasniqi, vajza e ish-Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka treguar se si babai i saj ka vendosur që ta refuzojë kujdesin mjekësor në Gjykatën Speciale.

Gresa tregoi se babai i ka thënë se këtë e ka bërë për shkak se është atje pa të drejtë dhe se i është mohuar çdo e drejtë njerëzore, prandaj nuk i duhet kujdesi i tyre.

“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: ‘Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre'”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ajo është shprehur e shqetësuar, duke theksuar se babai i saj është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.

“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë”.

Por, si njeri, thotë ajo, që i ka kaluar 30 vitet e jetës duke e njohur dashurinë dhe lirinë, “a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”.

“Si mund t’i kërkojë të pranojë kujdesin e atyre institucioneve kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, pyet ajo.

Ajo theksoi se është ndjerë aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë.

“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm. Kaq pata fuqi t’i them”.

Dënimi i babait të saj, ajo thekson, se nuk është një gabim që pret të korrigjohet. “Është një padrejtësi!”.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim.