Faruk Mujka, i cili e fitoi pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Ndërmarrjen Ibër-Lepenc përmes koordinimit me Dejona Mihailin e partisë dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk është përgjigjur kur është pyetur nga VOX-i pse ka intervenuar për t’u zgjedhur Kryeshef.

“Po. Po ajo nuk është për ty, po mendoj aty ku duhet me dhënë përgjigje unë jap”, tha shkurtimisht Mujka, i cili nuk ka treguar nëse për këtë çështje është ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria.

Në publik, më 1 dhjetor 2022, Ndërmarrja Hidro-Ekonomike Ibër-Lepenc njoftonte se Mujka, përmes një procesi të ligjshëm të përzgjedhjes, është emëruar Kryeshef Ekzekutiv për një mandat prej tre vjetësh.

Por, në prapaskenë, Mujka koordinohej me ministren Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihailin e Lëvizjes Vetëvendosje për ta siguruar këtë pozitë në formë krejtësisht joligjore dhe me ndikime politike të partisë në pushtet.

VOX Kosova kishte siguruar ekskluzivisht nga dosja e Prokurorisë komunikimet e Faruk Mujkës me Artane Rizvanollin, Albulena Haxhiun, Dejona Mihailin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës.