Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se partia që ajo përfaqëson nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Vetëvendosja për buxhetin, e cila pritet të fillojë pas pak minutash.

Kjo seancë, sipas Çitakut, “është farsë, është truk politik, nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin”.

“Ajo që po shohim sot është e dukshme: kur vjen puna për të formuar institucionet e për të kryer punë, kemi zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga VV-ja. Kur vjen puna t’i ikur përgjegjësisë, nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rëndë rendin kushtetues”, tha Çitaku në një konferencë për media nga holli i Kuvendit.

Ajo theksoi se PDK nuk do të jetë pjesë e një seance, sipas saj, “të paligjshme”.

“Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve, sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët, kjo seancë nuk është thirrur për të miratuar ligje, kjo seancë nuk është thirrur për komisione. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit. Fajit që një pushtet për 10 muaj rresht ka refuzuar të ndërtojë dialog, të ndërtojë shumicë dhe të formojë Qeveri”, shtoi.

“Thirrjet për të shkelur ligjin dhe Kushtetutën”, potencon ajo, “nuk janë zgjidhje as për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë. Ato janë derë e hapur për kaos, janë precedent i rrezikshëm, që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”.

“PDK nuk do të bëhet pjesë e kësaj rruge”, pohoi ajo ndër të tjera.