Gjykata Supreme ka marrë vendim që nuk do të ketë rivotim në Mitrovicë, duke refuzuar kështu kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, thuhet në njoftimin e Supremes.

PDK-ja ishte ankuar në Gjykatën Supreme pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte refuzuar ankesën e tyre për ripërsëritje të votimit në Mitrovicë.

Kjo kërkesë e PDK-së për ripërsëritje të votimit në Mitrovicë ka ardhur pasi që gjatë verifikimit të votave në Mitrovicë në Qendrën e Numërimit ishin gjetur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin klasave dhe shkollave ku ato ishin të vendosura.

Pas kësaj, Prokuroria urdhëroi ndërprerjen e numërimit, ndërsa një ditë më pas urdhëroi rifillimin e numërimit.

PDK-ja konsideroi se procesi zgjedhor në Mitrovicë ishte cenuar, prandaj edhe kërkonin rivotim.