Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës ndaj Kryeshefit të Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, dhe drejtorit të përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukajt, dhe kështu ka vendosur që të vazhdohet procedimi i aktakuzës.
Mbrojtja e Mujkës, pretendonte se ai nuk kishte qenë vendimarrës në këmbimin e pronës private, për çka akuzohet nga organi i akuzës, dhe se gjoja vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal, ku Mujka nuk kishte të drejtë vote.
“…Atëherë të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës që e votuan dhe e aprovuan këtë Vendim për këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës, do të duhej të ishin nën aktakuzë, por nuk janë, sepse vendimi për këmbimin e pronës së Komunës së Mitrovicës u vlerësua se ishte i ligjshëm dhe në interes të Komunës së Mitrovicës…”, thuhej në kërkesën e mbrojtjes që përfaqësohej nga avokati Xhafer Tahiri.
Kontestim mbrojtja e Mujkës ka bërë edhe për veprën penale tjetër të Mujkës në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë, duke pretenduar se Prokuroria Speciale “nuk ka prova” për kohën kur është përfituar kjo shumë financiare, vetëm, sipas mbrojtjes, supozon se Mujka i kishte këto mjete nga viti 2022.
Ndërsa, mbrojtja e Muzliukajt, e përfaqësuar nga avokati Ahmet Tahiri, ka pretenduar se aktakuza ndaj klientit të tij, mbështet “vetëm në deklarimet e dëshmitarëve me të cilin pretendohet se është kryer vepra penale e lartcekur të pa mbështetje në prova me të cilat do të argumentoheshin faktet relevante…”.
“…pasi që dispozitivi për veprën të cilat ngarkohet i mbrojturi im duhet hedhur poshtë, meqë të njëjtat nuk përcaktojnë qartazi siç kërkon legjislacioni penal si vendin dhe kohën objektin në të cilin është kryer dhe mjetin me të cilin është kryer vepra penale, që e bënë atë të jetë në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 235, par. I. nën par. 1.5 të KPP-së, pasi që është detyrë e PSRK që të argumentoj me prova relevante dhe të qëndrueshme”, thuhet në parashtresën e avokatit Tahiri.
Përkundër këtyre dy ankesave, Prokuroria i ka qëndruar pikave të aktkuzës.
Pas shqyrtimit të parashtrimeve, Gjykata Themelore ka gjetur se Mujka dhe Muzliukaj kishin qenë ata që mundësuan inicimin e procedurës së këmbimit të ish-objektit të Bankosit, pasi që të dy nënshkruan propozimin dhe vunë në lëvizje mekanizmin vendimmarrës – Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut.
Përveç kësaj, Gjykata argumenton, duke u bazuar në video-incizimin e mbledhjes së Kuvendit Komunal të Mitrovicës, se Muzliukaj, s’e kishte dhënë asnjë sqarim për objektin në fjalë, ku asamblistët s’ishin në dijeni se çfarë kishin për të votuar.
Tek çështja e parave që i ishin gjetur në shtëpi Faruk Mujkës, Gjykata konstaton se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara, pasi që vetë i akuzuari, gjatë deklarimit para hetuesisë kishte thënë se këto janë kursimet e tij gjatë 22 viteve punë dhe të ardhurave të bashkëshortes.
“Andaj pretendimi bie poshtë nga vetë deklarata e të pandehurit Faruk Mujka, ku fakti që ai nuk e deklaroi në formularin e vitit paraprak (2022) është i mjaftueshëm për të konsumuar elementet e veprës penale sipas nenit 430, par. 2. të KPRK, në rastin konkret, nuk është kontestuese që i pandehuri Faruk Mujka e ka dorëzuar deklaratën vjetore dhe në të nuk ka pasqyruar shumën 60,050 euro”, thuhet në aktvendim.
Çka thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit” nuk i kishte deklaruar 60 mijë e 50 eurot që i ishin sekuestruar në shtëpi.
Sipas aktakuzës, më 25 prill 2021, Mujka, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Muzliukaj si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, kishin paraqitur Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme në rrugën “Afrim Zhitia” (ndërtesa e ish-Bankosit) me një pronë private në rrugën “Ali Zeneli”, në pronësi të personit fizik Besarta Isufi.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit e dinin që prona e ish-Bankosit nuk ishte pronë komunale, pasi për të ekzistonte një proces gjyqësor i iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë.
Po ashtu, sipas dokumenteve, Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy vendime për shpalljen me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit, më 30 gusht 2012 dhe më 23 shkurt 2017, në bazë të të cilave ishte kërkuar që Bordit të AKP-së t’i bartet e drejta e shfrytëzimit, meqë prona nuk ishte komunale.
Prokuroria pretendon se Mujka dhe Muzliukaj kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe me Rregulloren për përcaktimin e procedurave për këmbim të pronës komunale, duke i shkaktuar AKP-së dëm të konsiderueshëm financiar në vlerë prej 125 mijë e 100 euro.









