Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë, ku detyrohen 1 mijë e 300 biznese të dalin në treg të hapur.

“Lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. Ref.: RK2990/26, të datës 23 mars 2026, në rastin KI252/25, parashtrues Partia Demokratike e Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) informon opinionin publik se Gjykata Kushtetuese ka shpallur kërkesën e parashtruesit të papranueshme”, thuhet në njoftim.

Ky vendim, siç theksohet, konfirmon “ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së dhe të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë”.

ZRRE thekson se “vazhdon zbatimin e plotë të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, në përputhje të plotë me Ligjin nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse. Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një tregu konkurrues, transparent dhe efikas, në interes të të gjithë konsumatorëve”.

PDK e kishte dërguar në Kushtetuese vendimin e ZRRE për liberalizimin e tregut të energjisë më 21 gusht.

Kjo kishte ardhur pasi që më 12 gusht, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale kishte marrë vendim që i dha të drejtë ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë.

Sipas vendimit të ZRRE-së, të gjitha bizneset që kanë më shumë se 50 punëtorë, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Ky vendim i përfshin rreth 1300 biznese.