Për shkak të angazhimeve si prokuror, Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për përzgjedhjen në pozitën e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.

“Në këtë moment nuk jam në gjendje ta pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye, me keqardhje kam vendosur ta refuzoj këtë propozim”, thuhet në letrën e Lumezit drejtuar Qalajt.

Për këtë çështje ishte paraparë të diskutohej në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila është planifikuar të mbahet këtë të hënë në orën 14:00.

Me punën e Lumezit si Kryeprokuror i Shtetit nuk ishte e kënaqur Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, para se të vinte në pushtet.

Kurti, sa ishte në krye të opozitës, deklaronte shpesh se, kur të vijë në pushtet, do ta shkarkojë Lumezin, duke theksuar se “shkon Lumezi, vjen Elezi”, në aludim për prokurorin Elez Blakaj, i cili u largua nga Kosova dhe shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Elezi, para largimit, kishte deklaruar se Lumezi kishte tentuar ta frikësonte atë në lidhje me rastin “Pronto”. Megjithatë, edhe pas ardhjes në pushtet të Kurtit, Elez Blakaj nuk u kthye në Kosovë.

Që nga viti 2022, vendi ka mbetur me ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë të cilën deri këtë muaj e mbajti Besim Kelmendi, i cili dha dorëheqje, ndërsa në vend të tij është emëruar Agron Qalaj.

Ndërkaq, më 6 prill të vitit 2022, Blerim Isufaj ishte votuar unanimisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri.

Megjithatë, Isufaj nuk është dekretuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo e ka konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.