Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e pranon asnjë lloj ftese për ta bërë çfarëdo Qeverie me Albin Kurtin, dhe se një kërkesë e tillë do të ishte e kot.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me VV-në, nuk pres kurrfarë kërkese, por po e tham përmes juve se kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdolloj Qeverie, në çfarëdolloj opsioni”, tha Krasniqi në një konferencë për media të mërkurën.
Ky qëndrim, kreu i PDK-së theksoi se është i qartë që nga 10 shkurti, një ditë pas zgjedhjeve parlamnetare.
Sipas tij, rruga më e mirë në situatën në të cilën ndodhet vendi do të ishin zgjedhjet e reja nacionale. “Mendoj që është e domosdoshme, e rëndësishme dhe e dobishme që të shkohet në zgjedhje sa më parë”, shtoi.
Ai përmendi edhe data se kur mund të mbahen zgjedhjet e reja.
“Kurti e ka pranu mandatin nga Presidentja, i ka edhe 11 ditë kohë për me provu me e bë Qeverinë. Unë jam i bindur, siç kam qenë gjithmonë, që nuk ka numra dhe kjo pastaj, ezaurimi i provës së parë e sjell tentimin për provën e dytë, kushdo që mund të ketë shumicë, po nuk duket që ka kushdo tjetër shumicë dhe kjo pastaj më len me besu që afatet kushtetuese janë të tilla që mund të përfundojmë në zgjedhje dikund mes 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit”.
Në vlerësimin e tij, “është e kot çfarëdo qeverie tash, e cila do të ishte jetëshkurtër dhe s’do të kishte mundësi që të sillte ndonjë dobi”.








