PDK refuzon sërish takimin me Kurtin: Qëndrojmë në opozitë
Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar sërish ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre drejtuar Kurtit, ka bërë të ditur se qëndrimi i kësaj partie është bërë i qartë edhe më herët dhe se PDK-ja do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai i ka kërkuar Kurtit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
PDK ka theksuar se do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit, por nuk ka pranuar të takohet me Kurtin për diskutime rreth formimit të institucioneve.









