Lidhja Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë propozimin e tyre për Presidente – Vjosa Osmanin – Vetëvendosja po e përsërit refrenin që nga e shtuna, po kërkon tre emra për të parin e shtetit, ndërkohë që ka mbetur edhe një ditë afat kushtetues për të zgjidhur këtë çështje.

Në një reagim në orët e vona të së dielës, Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se nuk kanë pasur ende asnjë propozim nga opozita pas ofertës së tyre.

“Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues”, shkroi Nagavci në Facebook.

Nagavcit iu përgjigj Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, duke ia rikujtuar se e kanë propozuar Osmanin.

“A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, shkroi Lushaku-Sadriu në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti, të premten, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve, në përpjekje për t’ia lënë fajin opozitës për Presidentin, tha se ata “po sillen më keq se Fatmir Limaj vitin e kaluar” dhe se ofertat e tij kanë qenë gjeneroze.

Një ditë pasi që i sulmoi, Kurti doli me një tjetër ofertë. Ai i kërkoi LDK-së dhe PDK-së që të propozojnë tri kandidatura për President, të cilat kërkuan të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.

PDK-ja e refuzoi ofertën. Kryetari i saj, Bedri Hamza, e quajti manovër politike të Kurtit, derisa shtoi se për partinë që ai drejton kjo çështje është e mbyllur.

LDK-ja nga ana tjetër, përkatësisht Kryetari Lumir Abdixhiku, tha se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin, por VV-ja të sigurojë që i ka 66 votat e koalicionit qeverisës për të.

“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, shtoi ai.

Kosova që nga 4 prilli është me Ushtruese të detyrës së Presidentes, pas përfundimit të mandatit pesë vjeçar të Vjosa Osmanit. Në këtë pozitë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, është Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 28 prill (e martë), atëherë Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.