“Kryeministri Albin Kurti është duke vazhduar angazhimet e tij”, ka thënë Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Ngaavci, kur është pyetur për çështjen e Presidentit, por që nuk ka treguar se çfarë angazhime është duke bërë, duke qenë se pas takimit të së hënës së 6 prillit në mes të Kurtit dhe Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur takime të tjera.
“Unë besoj që në ditët e mbetura, sepse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, të arrijmë një pajtueshmëri edhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete edhe të gjejmë një zgjidhje për çështjen e Presidentit”, tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të martën, kur kanë mbetur edhe 15 ditë afat kushtetues për ta zgjidhur Presidentin.
E pyetur se çfarë konkretisht është duke bërë Kurti për çështjen e Presidentit, ajo potencoi se “për të gjitha detajet sapo të ketë diçka të re do t’i ndajë edhe me ju edhe me qytetarët”.
“Presim që të gjejmë një zgjedhje. Të kemi propozime konkrete. Të gjejmë një zgjidhje dhe të votohet Presidenti në Kuvend sepse një palë zgjedhje të reja janë të padrejta dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri”, shtoi ajo.
Jashtë kësaj, Nagavci njoftoi se Kryesia është dakorduar që seanca e radhës plenare e Kuvendit të mbahet të premten, nga ora 10:00.
Përveç pikave të zakonshme, si deklarimet jashtë rendit të ditës, Nagavci njoftoi se do të bëhet edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, ndër të tjera, në seancën e së premtes, do të shqyrtohet edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe vendimi i Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.









