Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që u mandatua për Kryeministër, ka atakuar Gjykatën Kushtetuese për punën e saj, duke thënë se ajo po dëmton qëllimshëm procese të dobishme për shtetin.
Në fjalimin e tij para Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti, teksa ka folur për vendimet e Kushtetueses, tha se ajo një herë të vonon e pastaj të rrëzon.
“Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon e qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Republikës sonë. Në 8 raste, me vendimet e tyre kanë penguar nismat reformuese, qëllimmira të qeverisë, duke i shpallur ato si antikushtetuese. Në plot vendime, vendimmarrja e tyre ka vonuar mbi një vit: njëherë të vonojnë e pastaj të rrëzojnë”, ka thënë ai.
Ai tha se vendimet e Kushtetueses janë zakonisht të mbrapshta.
“Ndërkohë që qeveria jonë vetëm në mbledhjet e qeverisë ka miratuar 2349 vendime për këtë mandat, pra mbi një vendim në ditë, e Gjykata Kushtetuese ka nevojë për 329 ditë për një vendim të vetëm. E kur e marrin atë vendim, është zakonisht i mbrapshtë, e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira. A po e kuptoni pse e kemi Gjykatën Kushtetuese të këtillë çfarë është, ndërmjet mandatit që s’po përfundon dhe mandatit i cili nuk po nis?”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë fjalimit të tij, u mor edhe me 5 gjyqtarë të Kushtetueses, duke i quajtur ata “relikte të trashëgimisë jo-kulturore”.
“Pesë nga shtatë gjyqtarët janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. Që atëherë ka ndryshuar shumë përbërja e Parlamentit, ka ndryshuar orientimi i qeverisë, ndërsa ata kanë mbetur aty si një relikte e trashëgimisë jo-kulturore. Në tetë raste, me vendimet e tyre kanë penguar nismat reformuese të qeverisë duke i shpallur antikushtetuese. Njëherë të vonojnë, e pastaj të rrëzojnë”, ka thënë Kurti.
Tha se Kushtetuesja është bërë si hije politike e opozitës.
“Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes. Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, paarsyeshëm, dhe kërkoi që 120 deputetë të mbeten të bllokuar deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot”, ka thënë ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.