Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në tubimin e prezantimit të kandidatëve për deputetë në Gjakovë, ka sulmuar opozitën, duke i bërë përgjegjës ata që vendi ka shkuar në zgjedhje. Madje, tha edhe se po e bllokojnë punën e Qeverisë.

“Është krejt absurde të kërkosh votën e qytetarëve duke bllokuar punën e Qeverisë. T’iu lutesh qytetarëve të besojnë edhe një herë duke kërcënuar se në të kundërtën do të vazhdosh me bllokimin e shtetit dhe progresin e vendit”, tha Kurti.

“Të detyrosh 1 milion qytetarë të shkojnë sërish në kutitë e votimit, vetëm 4 muaj pasi ata në mënyrë plebishitare e shprehën vullnetin e vet, që dikujt nuk po i pëlqejka”, shtoi ai.

Kreu i Vetëvendosjes pretendoi se opozita po “duan ta përshtasin popullin sipas tekeve të tyre, por kjo është e pamundur”. “Ata që janë lodhur për pushtet, duan ta lodhin popullin si vullnet”.

“Populli as nuk kërcënohet, as nuk i përshtatet interesave të ngushta e as nuk lodhet. Ai ka folur qartë e do të flasë sërish edhe më qartë”, potencoi Kurti ndër të tjera.