Përgjigje të njëjtë sikur të mërkurën ka dhënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e Presidentit. Ai tha se kur të ketë rezultate do të njoftojë.

“Jemi në komunikim. Kur të kemi rezultate do të ju njoftojmë”, tha Kurti shkurt për gazetarë pa dhënë detaje shtesë.

Kështu deklaroi edhe të mërkurën. “Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, potencoi Kurti, pas tryezë “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.

Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.

Hera e fundit kur pati takime për Presidentin ishte e hëna e 6 prillit. Diskutuan Kurti dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Takimi përfundoi pa asnjë rezultat. Të shtunën, Abdixhiku foli përsëri për këtë takim. Ai tha se nuk pranojnë që një parti, në këtë rast Vetëvendosja, t’i ketë tri pozitat kryesore shtetërore, derisa tregoi se nuk i mbështesin asnjërën nga kandidaturat e VV-së – Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun, të cilat theksoi se kanë qenë të vetmet që janë diskutuar në takimin e së hënës me Kurtin.

“Kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku, duke theksuar se nuk ka propozuar emra për President.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani, ku u konstatua se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur Presidentin, Kurti nuk është takuar me Kryetarin e partisë më të madhe opozitare, me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës.

PDK ka thënë se po presin ftesë zyrtare nga Kurti, i cili, sipas tyre, ende nuk e ka bërë këtë lëvizje.