Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, sipas Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, nuk kanë qenë kurrë në gjendje më të keqe sesa sot, nën qeverinë e udhëhequr nga partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, e cila bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar “VLEN”.
Taravari, i cili ka qenë një nga eksponentët kryesorë të “VLEN”-it, ka pranuar se dështimi i ish-partnerëve shqiptarë në qeveri është “i dhimbshëm” për të.
“Ata nuk janë armiqtë e mi, përkundrazi, shumica janë miq e shokë që po bëhen kurban nga egoizmi patetik i dy-tre vetave!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Edhe pse ishte paralajmëruar më herët se një qeveri e drejtuar nga Hristijan Mickoski do të ndiqte politika anti-shqiptare, Taravari i kishte hedhur poshtë këto shqetësime, madje në atë kohë e quante liderin e VMRO-së “profesor të nderuar”.
Megjithatë, disa muaj në qeveri – si Ministër i Shëndetësisë – i kanë mjaftuar që, siç duket, të ndryshojë bindje. Ai, para disa javësh, dha dorëheqje dhe tashmë është rreshtuar në mesin e kritikëve të qeverisë, duke denoncuar qartazi qasjen, sipas tij, anti-shqiptare të kryeministrit aktual maqedonas.