Pas Degës së LDK-së në Pejë, edhe Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar atë si standard të përgjegjësisë politike pas rezultatit të zgjedhjeve.

Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale, por paraqet edhe reflektim të gjendjes, organizimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror.

“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre” thuhet në njoftimin e Degës së Lipjanit.

Sipas komunikatës, vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformimit të brendshëm, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse në vend.

Degën e LDK-së në Lipjan e udhëheq kryetari aktual i komunës dhe ish-sekretari i Partisë, Imri Ahmeti.