Lufta në Ukrainë quhet një “Operacion Special Ushtarak”, ndonëse është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në mbarë Rusinë, zyrtarët mungesat e karburanteve i arsyetojnë me “mirëmbajtje të paplanifikuar në rafineri”, pa përmendur shkakun e vërtetë, ndërsa dronët ukrainas po godasin objektet e përpunimit të karburanteve në vend, shkruan New York Times.

Edhe guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë ka folur për “transformimin strukturor të ekonomisë”, një shprehje që përdoret si kod për shpenzimet ushtarake, të cilat janë rritur ndjeshëm dhe e kanë orientuar ekonominë ruse drejt kompleksit ushtarako-industrial.

Për vite me radhë, presidenti Vladimir Putin është përpjekur ta mbrojë shoqërinë ruse nga pasojat e luftës në Ukrainë, duke përdorur eufemizma si një mburojë psikologjike.

Por, ndërsa lufta po ndihet gjithnjë e më shumë brenda vetë Rusisë, mospërputhja mes retorikës dhe realitetit po bëhet burim pakënaqësie për qytetarët e zakonshëm.

Për disa ditë, Putini nuk e përmendi fare sulmin me dronë me rreze të gjatë veprimi kundër Moskës më 18 qershor, kur Ukraina përdori afro 200 dronë.

Ai nuk reagoi as kur zyrtarët ukrainas premtuan se do ta shndërronin Krimenë – gadishullin që Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014 – në një ishull të izoluar përmes sulmeve me dronë dhe raketa.

Kur u shfaq publikisht të martën e kaluar për herë të parë pas sulmeve të 18 qershorit, më të mëdhatë gjatë gjithë luftës, Putini e përdori rastin për ta fajësuar Perëndimin.

“Këta dronë, këto sulme ndaj infrastrukturës civile – për çfarë shërbejnë? Për të destabilizuar shoqërinë dhe për të krijuar pasiguri lidhur me veprimet e forcave të armatosura ruse”, deklaroi ai.

Në atë kohë, ai nuk foli fare për mungesat e karburanteve në të paktën 56 rajone të Rusisë, sipas Mediazona, një media e pavarur ruse.

Megjithatë, të dielën Putini e pranoi ekzistencën e mungesave të karburanteve.

Në një takim me drejtues të lartë dhe zyrtarë shtetërorë, ai tha se duhen ndërmarrë “masa sistematike që i përgjigjen përmasave të sfidave aktuale”, duke shtuar se një grup pune po punon pa ndërprerje për të garantuar furnizimet, veçanërisht për sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, Putini nuk u ka deleguar publikisht zyrtarëve detyrën për përgatitjen e strehimoreve apo sistemeve të paralajmërimit të hershëm për sulme të ardhshme.

Në periferitë e Moskës, Kotelniki dhe Lyubertsy, të cilat u goditën nga dronët në mesin e qershorit, autoritetet deklaruan se nuk do t’i bëjnë publike vendndodhjet e strehimoreve dhe nuk do të përdorin sirena alarmi, sepse vendi teknikisht nuk ndodhet në gjendje lufte.

Një ndërtesë banimi e dëmtuar gjatë një sulmi me dronë ukrainas në rajonin e Moskës, më 18 qershor. /REUTERS

Sipas tyre, këto informacione do të publikohen vetëm gjatë një “periudhe mobilizimi” ose në kohë lufte.

Administratori i Lyubertsy-t sugjeroi që qytetarët të konsultonin një dokument PDF të publikuar në një faqe qeveritare, ku jepeshin udhëzime praktike për rastet e sulmeve me dronë.

Kreu i Republikës së Bashkortostanit, një rajon me katër milionë banorë midis lumit Vollga dhe Maleve Urale, ku Ukraina ka sulmuar rafineri nafte, deklaroi se administrata e tij kishte vendosur të mos i aktivizonte gjithmonë sirenat e alarmit për të mos shkaktuar stres te qytetarët, duke përmendur edhe rritjen e përdorimit të antidepresivëve në Rusi.

Pas një sulmi me dron në rajonin e Jaroslavlit në fund të marsit, ku humbi jetën një fëmijë dhe u plagosën tre të rritur, një gazetë lokale raportoi se Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk i kishte aktivizuar sistemet paralajmëruese me sirena “për të shmangur panikun dhe lëndime të mëtejshme”.

Autoritetet ruse thanë se gjatë natës të së shtunës rrëzuan 213 dronë ukrainas, ndërsa Kievi pretendoi se kishte goditur një rafineri të madhe në rajonin e Krasnodarit, sulm nga i cili humbi jetën një person. Gjatë së njëjtës periudhë, Rusia sulmoi Ukrainën me tetë raketa dhe 142 dronë.

Në rrjetet sociale, qytetarët kanë shprehur habi dhe zemërim për deklaratat zyrtare që shpjegojnë pse nuk përdoren sirenat gjatë sulmeve me dronë ose pse nuk po krijohen strehimore. Të tjerë janë ankuar se njoftimet me SMS shpesh mbërrijnë shumë vonë ose nuk mbërrijnë fare.

Tym që ngrihet nga zona e rafinerisë së naftës së Gazpromit, në periferi të Moskës, pas një sulmi më 18 qershor. Agence France-Presse

Minimizimi i rrezikut dhe përdorimi i eufemizmave për të përshkruar sulmet me dronë dhe vështirësitë ekonomike përbëjnë një “performancë bindjeje” ndaj Putinit dhe regjimit të tij, thotë Aleksandra Arkhipova, studiuese e shkencave sociale në École Normale Supérieure në Paris.

Ajo ka përpiluar një listë të termave të rinj dhe eufemizmave të luftës, ku “shpërthimi” zëvendësohet me “goditje”, “i vrarë” me “i privuar nga jeta”, ndërsa “droni” me “objektiv ajror”.

“Autoritetet politike ruse sot janë të përqendruara te pamja që krijohet në lajme”, thotë Arkhipova. Sipas saj, ato nuk duan të krijojnë panik masiv që mund të shfaqet në televizionet lokale dhe më pas në lajmet kombëtare me turma njerëzish që qajnë dhe vrapojnë nëpër rrugë.

Në mediat shtetërore, sulmet e fundit ndaj Moskës morën shumë pak vëmendje. Kanali i Parë, megafoni kryesor kulturor dhe politik i Kremlinit, transmetoi vetëm një kronikë të shkurtër mëngjesin e 18 qershorit dhe më pas heshti deri në deklaratën e Putinit disa ditë më vonë.

Sipas kanalit Telegram “Agentstvo News”, gjatë edicioneve qendrore të lajmeve më 18 qershor në Channel One, Rossiya 1 dhe NTV, nuk u tha “asnjë fjalë e vetme” për sulmet.

Sipas Arkhipovës, zyrtarët dhe mediat shtetërore përdorin formulime të paqarta dhe ndonjëherë mashtruese për të përshkruar ngjarjet e lidhura me luftën. Në ditët e para të luftës, shumë dyqane të mbyllura si pasojë e sanksioneve perëndimore vendosën tabela ku shkruhej se ishin “mbyllur për arsye teknike”, dhe këto tabela qëndruan për muaj apo edhe vite.

Së fundmi, Agjencia Federale e Transportit Ajror e Rusisë njoftoi për një “rregullim të orarit” në aeroportin e Krasnodarit, i cili ndodhet rreth 240 kilometra nga vija e frontit dhe shpesh gjendet në trajektoren e dronëve ukrainas.

Në aeroportin e Soçit, autoritetet nuk njoftojnë se fluturimet vonohen për shkak të dronëve, por përdorin shprehjen “operim sipas orarit aktual”, një formulim konfuz që dallon mes orarit të planifikuar dhe atij real.

Kur aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht për shkak të sulmeve me dronë, përdoret termi se fluturimet pranohen “me marrëveshje”, ndërsa udhëtarëve u thuhet se vonesat lidhen me fluturimet hyrëse dhe jo me faktin se qyteti po sulmohet.

Arkhipova e quan këtë teknikë gjuhësore “neutralizim”. Sipas saj, bëhet fjalë për një paqartësi të qëllimshme.

“Njerëzit mund ta kuptojnë se diçka po ndodh, por nuk e kanë të qartë saktësisht se çfarë po ndodh”, shpjegon ajo.

Shumë rusë ankohen se mungesa e informacionit po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Maria, një 25-vjeçare nga Rjazani, rreth 190 kilometra larg Moskës, kujton se një ditë mbeti e bllokuar në një taksi në një kolonë trafiku që ia dyfishoi kohën e udhëtimit drejt qendrës së qytetit. Ajo kontrolloi lajmet, por askund nuk përmendej trafiku. Më në fund, shoferi i tha se kishte ndodhur një sulm me dron dhe autoritetet po pastronin mbeturinat në rrugë.

“Dronët janë bërë një lloj tabu-je”, tha Maria, e cila kërkoi të mos i publikohej mbiemri nga frika e pasojave. Pas asaj përvoje, ajo tha se kishte ndaluar së ndjekuri lajmet.

Sipas Tatiana Stanovayas, studiuese e lartë në Carnegie Russia Eurasia Center, hendeku mes asaj që rusët po shohin gjithnjë e më shumë me sytë e tyre dhe asaj që autoritetet po u tregojnë është një problem për Kremlinin.

Megjithatë, ajo vlerëson se kjo nuk ka gjasa ta destabilizojë kontrollin e tij mbi pushtetin.

Nëse sulmet vazhdojnë, tha ajo, Kremlini me gjasë do të përpiqet t’i shfrytëzojë ato për të nxitur më tej ndjenjat anti-perëndimore dhe anti-ukrainase, duke i dhënë Putinit një arsye shtesë për të justifikuar përshkallëzimin e luftës.