Kontrastet janë tejet të dukshme.

Një president zgjodhi diplomacinë. Presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, dhe një koalicion i madh ndërkombëtar negociuan marrëveshje me Iranin për të pezulluar programin bërthamor për një dekadë, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili shkoi në Kongres në vitin 2015 për të folur kundër marrëveshjes dhe presidentit amerikan.

Një president tjetër zgjodhi luftën. Presidenti i 45-tw dhe i 47-tw i SHBA-ve, Donald Trump, vite pasi e hodhi poshtë marrëveshjen e Obamës e pasi u zhgënjye nga bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore, e solli Netanyahun në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, sipas një raporti të New York Times.

Kryeministri izraelit u ul përballë presidentit amerikan dhe e bindi për një sulm të befasishëm ndaj Iranit, pa u konsultuar me aleatët në Evropë apo nw Lindjen e Mesme.

Tani SHBA-së, në vend se një marrëveshje për ndalimin e programit bërthamor, i duhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin.

Lufta nuk ka shkuar saktësisht sipas planit të Trump. SHBA-ja dhe Izraeli arritën objektivat e tyre për të dobësuar ushtrinë e Iranit bashkë me kapacitetet e tij detare dhe raketore. Por materiali bërthamor i Iranit mbetet në vend, ndonëse duket se është i fshehur nën tokë. Republika Islamike ka marrë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, duke zbuluar një mjet të ri presioni mbi ekonominë botërore.

Sido që të përfundojë lufta me Iranin, bisedimet do të nisin në Islamabad të Pakistanit të shtunën për të ndërtuar diçka të re mbi një armëpushim të brishtë. Trump do të dëshirojë të deklarojë se rezultati është më i mirë se ai që arriti paraardhësi i tij Obama pa shkuar në luftë.

Marrëveshja bërthamore e Obamës është në mendjen e Trump.

Trump rrallë flet për Iranin pa sulmuar Obamën dhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

“Barack Hussein Obama — ajo që bëri, kur bëri marrëveshjen bërthamore me Iranin, u dha atyre liri për të shkuar drejt armëve bërthamore. Në thelb, ai zgjodhi Iranin mbi Izraelin dhe të tjerët që nuk donin që ai ta bënte këtë”, deklaroi Trump në një mbledhje të kabinetit më 26 mars të këtij viti.

Ai e përsëriti këtë qëndrim në një konferencë për shtyp më 6 prill.

“Nëse nuk do të kisha ardhur unë dhe ta kisha ndërprerë marrëveshjen e Obamës, e cila ishte e tmerrshme, marrëveshja bërthamore me Iranin ishte një rrugë drejt armës bërthamore,” tha Trump. “Një rrugë e madhe, pa kufizime.”

Trump gjithashtu pëlqen të përmendë faktin që gjatë finalizimit të marrëveshjes, SHBA dërgoi një avion me para, 400 milionë dollarë para të gatshme, kryesisht franga zvicerane në Iran. Këto para në fakt ishin kthim i fondeve iraniane të ngrira dekada më parë, por përkuan me miratimin e marrëveshjes dhe lirimin e amerikanëve të burgosur në Iran, përfshirë gazetarin e Washington Post, Jason Rezaian.

Kjo dërgesë parash dhe miliardat që Irani fitoi nga asetet e shkrira dhe shitja e naftës gjatë periudhës së JCPOA mund të duken të vogla krahasuar me tarifat që Irani mund të kërkojë tani për t’i dhënë fund luftës.

Këto fonde të reja mund të përfshijnë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, para nga asetet e zhbllokuara apo të ardhura nga heqja e sanksioneve.

Çfarë përfshinte JCPOA?

JCPOA ishte një marrëveshje e ndërlikuar diplomatike. Ajo u nënshkrua nga Irani, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: SHBA, Kina, Rusia, Franca dhe Britania si dhe Gjermania e Bashkimi Evropian.

Në thelb, marrëveshja parashikonte që Irani të kufizonte ambiciet e tij bërthamore, të vendoste kufij për pasurimin e uraniumit dhe të lejonte inspektime ndërkombëtare nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), në këmbim të heqjes së disa sanksioneve dhe zhbllokimit të miliarda dollarëve të aseteve të ngrira.

Netanyahu ishte aq i alarmuar nga kjo marrëveshje sa, në një veprim të paprecedentë, iu drejtua Kongresit në vitin 2015 për ta rrëzuar atë.

Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018. Edhe pse vendet e tjera u përpoqën ta vazhdonin, Irani përfundimisht e shkeli marrëveshjen dhe ajo u rrëzua, megjithëse administratat e Joe Biden dhe Trump 2.0 u përpoqën të rinisnin negociatat.

Trump nisi luftën ndaj Iranit pasi bisedimet për një marrëveshje të re dështuan, edhe pse një diplomat i huaj i përfshirë në bisedime tha se një marrëveshje ishte “brenda mundësive tona”.

Tani, pas më shumë se një muaji lufte, Trump po kërkon sërish marrëveshje me Iranin.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në një dekadë.

JCPOA i përket një kohe shumë të ndryshme, sipas Daryl Kimball, drejtor ekzekutiv i Arms Control Association.

Në vitin 2018, IAEA dhe komuniteti amerikan i inteligjencës ranë dakord se gjatë kohës sa marrëveshja ishte në fuqi, Irani nuk po kërkonte armë bërthamore dhe në përgjithësi po i respektonte kufizimet, edhe pse vazhdonte të mbështeste grupe terroriste dhe të zhvillonte raketa balistike.

Programi bërthamor u rrit pas largimit të Trump

Me nxitjen e Izraelit, Trump e braktisi marrëveshjen gjatë mandatit të tij të parë. Një vit më pas, Irani rifilloi fuqishëm zhvillimin e programit bërthamor, duke rritur pasurimin e uraniumit dhe ndërtimin e objekteve të reja, ndërsa vazhdonte të deklaronte se nuk synonte armë bërthamore.

“Duke parë përpara, çdo marrëveshje e re me Iranin do të duhet të jetë ndryshe nga JCPOA, por me disa elemente të ngjashme,” tha Kimball.

Irani tani ka një kartë të re

Si rezultat i luftës, Irani ka zbuluar një fuqi të re mbi ekonominë globale duke kontrolluar Ngushticën e Hormuzit.

“Ajo që ka bërë kjo luftë është t’i japë Iranit një armë shumë më të përdorshme se armët bërthamore, mbylljen e furnizimeve globale përmes Hormuzit,” tha analisti Fareed Zakaria.

Edhe përpara çështjes bërthamore, çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës duhet të përfshijë rihapjen e ngushticës, sipas ish-drejtorit të CIA-s David Petraeus.

Kjo mund t’i japë Iranit një burim të ri të ardhurash — një lloj “Kanali i Panamasë”, ku anijet paguajnë tarifa.

“Nëse është 2 milionë dollarë për anije dhe kalojnë mbi 100 në ditë, kjo është një shumë e madhe parash për Iranin,” tha Petraeus.

A ishte marrëveshja afër para luftës?

Ministri i Jashtëm i Omanit tha se Irani kishte pranuar lëshime të mëdha para luftës, përfshirë heqjen dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar.

Por negociatori i Trump, Steve Witkoff, kishte një qëndrim tjetër, duke thënë se Irani nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasurimi.

Disa analistë besojnë se negociuesit amerikanë nuk e kuptuan plotësisht rëndësinë e koncesioneve të Iranit.

SHBA ende duhet të negociojë

Tani SHBA duhet të negociojë sërish me Iranin. Në këmbim të kufizimeve bërthamore, Irani pritet të kërkojë heqjen e sanksioneve mbi naftën — por këtë herë edhe formalizimin e kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Kjo do të thotë se Irani mund të dalë nga kjo krizë me më shumë fuqi sesa kishte më parë.