Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për “kalkulime për pushtet” dhe bllokim institucional.
Rama ka thënë se afatet kushtetuese po kalojnë, ndërsa Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar.
“Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit. Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar Kurtin duke kërkuar përgjigje se pse, sipas tij, po mbahet peng konstituimi i Kuvendit dhe pse institucionet po përdoren për kalkulime politike.
“Kur i kanë numrat, flasin për demokraci. Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë. Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë. Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime”, ka deklaruar Rama.
Rama është ndalur edhe te incidenti i sotëm në Kuvend, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
“Pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, ka shkruar ai.
Në fund, Rama ka kërkuar stabilitet dhe funksionalitet institucional, duke e mbyllur reagimin me mesazhin:
“Albin Kurti, pushteti është i përkohshëm. KOSOVA ËSHTË E PËRHERSHME! SHTETI ËSHTË I SHENJTË!”









