Qeveria e Kosovës ka reaguar pas dënimit të dytë të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë, në rastin që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në reagimin e saj, Qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit.

Megjithatë, në të njëjtin reagim, Qeveria ka thënë se kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagim.

Qeveria ka vlerësuar se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.

“Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, përfundon reagimi i Qeverisë.