Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas mbajtjes së “Marshit për Liri” në Prishtinë, i cili u zhvillua me kërkesën për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Përmes një reagimi, Qeveria ka falënderuar organizatorët e marshit, si dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në këtë organizim.

“Shprehim mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, marshi u zhvillua me kërkesën për lirimin e katër drejtuesve të UÇK-së, paraburgimi i të cilëve në Dhomat e Specializuara në Hagë ka hyrë në muajin e 70-të.

Qeveria ka vlerësuar në veçanti edhe bashkëpunimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve me organet e rendit dhe sigurisë së Kosovës.

“Bashkëpunimi i treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit”, thuhet më tej në reagim.