Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas nderimeve shtetërore në Serbi për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Në një postim në X, Konjufca e ka cilësuar nderimin e Mlladiqit si “turp të thellë moral dhe politik”, duke kritikuar edhe pjesëmarrjen e zyrtarëve qeveritarë në ceremoninë e nderimit.
“Nderimi i një krimineli të dënuar lufte, krimet e të cilit një tribunal ndërkombëtar i ka përshkruar si ‘ndër më të rëndat të njohura nga njerëzimi’, është një akt turpi të thellë moral dhe politik”, ka shkruar Konjufca.
Ai tha se nderimet ushtarake ndaj Mlladiqit dhe pjesëmarrja e zyrtarëve qeveritarë përbëjnë glorifikim institucional të një personi të dënuar për gjenocid.
Konjufca e ka lidhur këtë veprim edhe me të kaluarën politike të Serbisë, duke përmendur presidentin aktual, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit kishte shërbyer si ministër i Informacionit.
“Për Republikën e Kosovës, kjo nuk është një debat abstrakt për historinë. Populli ynë e mbart kujtesën e masakrave, civilëve dhe fëmijëve të vrarë, dëbimeve masive dhe dhunës sistematike të kryer nga forcat shtetërore serbe”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka thënë se Kosova kundërshton çdo përpjekje për t’i paraqitur krimet e vërtetuara gjyqësisht si çështje interpretimi kombëtar apo autorët e dënuar si figura që meritojnë nderim.
Ai ka theksuar se “nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa të vërtetën”, duke shprehur mbështetje për viktimat dhe të mbijetuarit e Srebrenicës.









