“Kërkesa e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit”, ka thënë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo kërkesë, Kurti thekson se “injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”.
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë “të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”.
UÇK-ja, shton ai, ishte bartëse “e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse”. “Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e aparteidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror”.
Prandaj, kreu i ekzekutivit konsideron se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik “rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”.
“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve”, potencoi ai ndër të tjera.









