Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se që Kosova të përparojë në rrugën drejt Unionit, partitë politike duhet të gjejnë kompromise për të siguruar stabilitet institucional pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

“Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos në platformën X, të hënën, një ditë pas zgjedhjeve.

Ajo uroi liderin e Vetëvendosjes për fitoren në zgjedhje dhe uroi “veçanërisht për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit”.

“Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur për të intensifikuar punën në integrimin evropian të Kosovës dhe për të vazhduar punën për financimin në kuadër të Planit të Rritjes”, theksoi Kos.

Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.

E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.