Deklarata e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kryente spastrim etnik në Kosovë, ka nxitur reagim edhe nga Bashkimi Evropian.
Ndonëse theksoi se Bashkimi Evropian nuk komenton deklaratat e politikanëve individualë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, dha një mesazh të qartë kundër retorikës që justifikon krimet e luftës.
“Parimi kyç është se nuk duhet të ketë dhe nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, deklaroi Anitta Hipper.
Ajo shtoi se deklarata të tilla janë gjithashtu në kundërshtim me obligimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Ato deklarata janë gjithashtu në kundërshtim me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj, ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, deklaroi Hipper.
Reagimi i BE-së vjen në një kohë kur, ndonëse kanë kaluar gati tre vjet pa një takim në nivelin më të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesi i normalizimit të marrëdhënieve mbetet në qendër të angazhimit të bllokut evropian në rajon. Madje, së fundmi, Komisioni Evropian kishte vlerësuar se Serbia po angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog.
Në raportet e progresit për Serbinë, Bashkimi Evropian ka përsëritur vazhdimisht se nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizmin historik apo glorifikimin e kriminelëve të luftës.









