Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër kanosjen ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i Vox Kosova, duke shprehur solidaritet të plotë me të dhe duke kërkuar nga institucionet që të garantojnë sigurinë e tij dhe të familjes.
Në reagimin e saj, AGK-ja ka shprehur shqetësim të thellë për kanosjen dhe rrezikimin e sigurisë fizike të Mehmetajt, lidhur me rastin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, për të cilin është arrestuar ish-deputeti Gani Geci.
Asociacioni ka theksuar se shprehja e lirë e mendimit për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është një e drejtë themelore në një shtet demokratik.
AGK-ja ka vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e Prokurorisë për trajtimin e rastit me seriozitetin e nevojshëm.
Njëkohësisht, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të gazetarit Mehmetaj dhe familjes së tij.
Sipas AGK-së, ky rast pasqyron klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria në Kosovë dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund intimidimit të punonjësve të medias.
“Aktet e tilla përbëjnë një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.









