“Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Vetëvendosje”, kanë thënë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në një komunikatë për media, pasi që Glauk Konjufca u mandatua nga VV-ja si mandatar i dytë për krijimin e qeverisë, nga PDK-ja kanë thënë se realiteti politik është i qartë: “askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.
“PDK konsideron se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do ta thellonte krizën, do ta zgjaste pasigurinë institucionale dhe do ta dëmtonte më tej stabilitetin e vendit”, theksohet në reagim.
Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve jo shumicë jo serbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga VV-ja, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie, sipas PDK-së, “do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”.
“Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për t’i dhënë fund çdo skeme zvarritëse, çdo improvizimi politik dhe çdo përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake”, pohojnë ata.
Aktualisht, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike, sipas tyre janë zgjedhjet e reja të parakohshme, “që do t’i kthejnë sovranit, qytetarit të Republikës së Kosovës, të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”.
“Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga VV, përveç dëmit politik, ka goditur ekonominë, ka cenuar mirëqenien e qytetarëve, ka dëmtuar raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”.
Nga PDK thonë se mbeten të përkushtuar të kontribuojnë në çdo proces që i shërben stabilitetit, funksionimit normal të institucioneve dhe forcimit të demokracisë parlamentare në vend.









