Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, plagosjen dhe rrëmbimin e një shtetasi të Kosovës, i nacionalitetit serb, nga xhandarmëria serbe, e ka konsideruar provokim të rëndë.

“Pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo prapëseprapë është krim, është provokim i rëndë, dhe është tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, edhe sikur kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht”, ka thënë Osmani për gazetarët.

Sa i përket hetimit, Osmani thotë se në bashkëpunim me institucionet e sigurisë të shteteve aleate, ende po presin konkluzionin final. “Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme që i kemi nga institucionet e sigurisë ju e keni parë edhe deklarimin publik të Policisë së Kosovës, por edhe institucionet e tjera të sigurisë e kanë të njëjtin konkluzion, pra që ka qenë brenda territorit të Kosovës”.

Ajo ka treguar se gjendja e të plagosurit është e rëndë. “Përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar disa herë që ta vizitojë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që i kemi është që ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore”, pohoi ajo.

Më 1 nëntor të vitit 2025, Policia e Kosovës, kishte njoftuar se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga xhandarmëria serbe.