Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se e mirëpresin respektimin e marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Veri të vendit nga autoritetet kosovare.

Kjo deklaratë e KFOR-it vjen një ditë pasi që një njësit i FSK-së hyri në Mitrovicë të Veriut e qëndroi për disa minuta. Institucionet e Kosovës, FSK-ja dhe Policia, reaguan duke thënë se trupat e FSK-së e ngatërruan rrugën dhe kanë hyrë gabimisht në Veri dhe se janë larguar shpejt.

Në këtë drejtim, KFOR ka thënë se i pranon deklaratat e autoriteteve të Kosovës.

“KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në Veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it”, kanë thënë nga KFOR për “Radio Evropa e Lirë”.

Ata kanë theksuar se ky qëndrim u ritheksua edhe gjatë bisedës telefonike mes Komandantit të KFOR-it dhe atij të FSK-së të zhvilluar më 16 tetor. “Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht kishte devijuar përkohësisht nga itinerari i tij”, theksoi KFOR.

Shkuarja e FSK-së në Veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it. Ky është një zotim që Qeveria e Kosovës e kishte bërë në vitin 2013 ndaj NATO-s.