Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Nait Hasani pasi që iu hoqën 3 mijë e 414 vota nga rinumërimi i pjesshëm, ka thënë se votat e tij “janë rritur në mënyrë të padrejtë”, duke u përdorur emri i tij për “manipulime të papranueshme zgjedhore”.
“Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, shkroi Hasani në Facebook.
Në këto zgjedhje, ai theksoi se është “cenuar rëndë vullneti i lirë i qytetarëve dhe drejtpërdrejt dinjiteti i tij politik dhe kombëtar”. “Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit”.
“Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat. Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht”.
Hasani potencon se do të vazhdojë të qëndrojë “në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë”.
Ky reagim, shtoi ai, nuk është për të mbrojtur vetëm emrin e tij, por “për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”.









