Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për të parin e Drenasit, Petrit Hajdari, ka thënë se veprimi i djeshëm i kryetarit të rizgjedhur të komunës, Ramiz Lladrovci, i cili rihapi zyret e PDK-së atje është “skenë që s’i ka hije askujt”. Hajdari në një shkrim në profilin e tij në Facebook tha se e ka uruar Lladrovcin për fitoren dhe se i njëjti po e luan “rolin e viktimës”. Hajdari ia përmendi edhe incizimin e publikuar nga VOX Kosova ku kreu i komunës flet me një biznesmen për miliona e ndërtime pa leje.

“Nuk matet kontributi me “a ka pru libra”. Ku po e din a kam sjellë libra, kur s’e lexon asnjë? I zënë me ‘milunat’, nuk po di as të fitojë me dinjitet”, shkroi Hajdari.

Sipas Hajdarit, ish-selia e Partisë Demokratike të Kosovës ku dje Lladrovci shkoi me bashkëpunëtorë “është pronë private e familjarit të Lladrovcit”.

“Atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë”, shtoi.

Ramiz Lladrovci, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fitoi pa balotazh Drenasin. Mbrëmë(15 tetor) me bashkëpunëtorët e tij ai rihapi zyret ku dikur kishte selinë PDK e tha se kandidatët e kësaj partie do t’i mbështesë në balotazh në komunat ku ata garojnë.