Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se është arrestuar kameramani i mediumit “Paparaci”, Jetmir Muji, i cili po xhironte për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një reagim publik, AGK-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

“Ai ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes Osmani, kur është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet”, thuhet në reagim.

AGK-ja e konsideron arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës.

“Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim. AGK-ja është e alarmuar dhe thellësisht e shqetësuar me këtë arrestim dhe ndalim arbitrar dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës, që ta lirojë menjëherë Mujin”.