Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë qëndrim, DASH e ka dhënë në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, pasi që është pyetur për ta komentuar kërcënimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për REL-in.
Të dielën e 9 gushtit, Vuçiç theksoi se shteti që ai udhëheq është duke shqyrtuar me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Në lidhje me këtë deklaratë, përveç DASH-it, reagoi edhe Bashkimi Evropian. Nga Unioni kanë theksuar se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian të martën.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për REL-in.
Përveç kundërshtimeve në Kosovës, deklarata e Vuçiç-it bëri që të ketë përplasje edhe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndër të tjera, deklaroi në mbrëmjen e së hënës se “Kosova është shtet më vete, s’kemi nevojë për ‘Shqipëri të madhe’ për t’i qëndruar në krah”, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të zyrtarëve serbë.
Lumi Ibër është rreth 270 kilometra i gjatë. Ai buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku edhe furnizon liqenin artificial të Ujmanit.
Përafërsisht, dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës, pra pjesa dërrmuese e tij. Uji nga Ujmani dhe Ibër-Lepenci furnizon shtatë komuna. Përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.
Ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të binte ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare. Madje, Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.
Ndër të tjera, Konventa përcakton parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme shteteve të tjera.









