Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, një pjesë e të cilëve qëndrojnë të lirë në Serbi.
Reagimi i BE-së ka ardhur në ditën e përvjetorit të tretë të sulmit në Banjskë.
“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Terroristët serbë kishin për qëllim aneksimin e një pjese të Veriut të Kosovës.
Njësitet elitare të Policisë së Kosovës arritën që suksesshëm ta neutralizojnë rrezikun.
Nga luftimet, tre terroristë serbë mbetën të vrarë, disa prej tyre u arrestuan, ndërsa pjesa më e madhe, duke përfshirë Radojiçiç-in, ikën për në Serbi.
Kosova e ka bërë përgjegjëse drejtpërdrejtë Serbinë për këtë sulm.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky sulm terrorist. Madje, ka shpallur ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar njëzëri sulmin e 24 shtatorit, derisa ka kërkuar nga Serbia që përgjegjësit t’i vë para drejtësisë, kërkesë që ka hasur në vesh të shurdhër.









