Për Emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione Speciale, Richard Grenell, Gjykata Speciale në Hagë është “tërësisht e korruptuar” dhe ka vlerësuar që të njëjtës “duhet t’i ndërpritet financimi”.
Këto komente, Grenell i ka bërë përmes një postimi në rrjetin social X.
“Jack Smith ishte një nga prokurorët e saj që arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës [Hashim Thaçi] më shumë se pesë vjet më parë”, tha Grenell.
Në reagimin e tij, diplomati amerikan përmendi faktin se Thaçi është ende në burg.
“Ai ende ndodhet në burg. Gjyqi sapo ka filluar”, potencoi ai.
Grenell ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Gjykatës Speciale dhe mënyrës se si ka vepruar ajo në raport me ish-krerët e UÇK-së.
Ndryshe, dy ditë më parë, të premten e 17 tetorit, në Tiranë u mbajt një protestë kundër Gjykatës Speciale, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Para kësaj, protesta të ngjashme ishin mbajtur në Prishtinë dhe në Hagë të Holandës, ndërsa pritet që e radhës të zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









