Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se financimi i ekspozitës për masakrat e Luftës së Kosovës, së Shkelzen Gashit është marrë, sipas saj, “në Kryesinë e Kuvendit, në përputhje të plotë me Rregulloren për subvencionim”.
Haxhiu ka shprehur keqardhjen e saj për situatën, por në vend se të merret me përmbajtjen skandaloze të ekspozitës, ajo është përpjekur të arsyetojë financimin e këtij projekti si dobësi të procedurave vlerësuese në Kuvendin e Kosovës.
“Në këtë drejtim, do të ndërmarrim hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje” ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.
Haxhiu ka thënë se mbështetja e dhënë nga Kuvendi për këtë ekspozitë ka pasur qëllim të mirë, teksa ka shtuar se për të kanë votuar e gjithë Kryesia e Kuvendit përveç përfaqësuesve të Listës Serbe.









