Në ora 07:00, ka filluar procesi i votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

“Ftoj qytetarët që të dalin për të votuar në këto 18 komuna. Të respektohet ligji për zgjedhje, po ashtu edhe rendi që i gjithë procesi të shkojë pa asnjë problem”, tha Radoniqi, pasi që votoi në qendrën e tij të votimit në Pejë.

Në raundin e parë, me 12 tetor, 20 komuna zgjodhën kryetarin e tyre, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin sot (e diel, 9 nëntor).

Të drejtë vote në këto 18 komuna kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë. Numri i votuesve është i shpërndarë në 507 qendra votimi, me gjithsej 1 mijë e 628 vendvotime.

Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Qendrat e votimit do të mbyllen në ora 19:00.