Një përplasje në distancë ka ndodhur mes ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku dhe Kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci. Ky i fundit, në një postim në Facebook gjatë kësaj të enjte (14 maj), tha se “sulmi ndaj Hysni Mehanit në Skenderaj është akt qyqar e kriminal”. Ndaj kësaj fjalie të Pecit, reagoi Lushtaku.
Sipas ish-deputetit të PDK-së, i cili është edhe i biri i të parit të Skenderajt, “kur Faton Peci flet për moral politik e drejtësi, është tallje me qytetarët”. Ai, në një shkrim tjetër në profilin e tij zyrtar në Facebook, ia përmendi Pecit aferat me grante në bujqësi.
“Para se të mbajë ligjërata për drejtësi, duhet të japë llogari për milionat e taksapaguesve dhe mënyrën si janë ndarë ato”, shkroi mes tjerash Lushtaku.
“Dhe pyetja është e thjeshtë: kush po e pengon drejtësinë të veprojë ndaj aferave të Faton Pecit? A janë Dejona Mihali e Donika Gërvalla?”, vazhdon.
Në Skenderaj, këtë të enjte (14 maj) në një përplasje fizike dyshohet të jenë përfshirë Kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, e Kryetari i degës së VV-së atje njëherit zëvendësministër i Financave, Hysni Mehani. Pas ngjarjes, Mehani ka kërkuar ndihmë mjekësore.









