Driton Gashi, ish-shef i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim edhe në rigjykim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin “Gylenistët”, raporton Betimi për Drejtësi.
Gashi akuzohej se në cilësinë e ish-shefit të AKI-së, ishte angazhuar drejtpërdrejtë në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Ai akuzohej se këtë e kishte bërë duke shkelur procedurat ligjore.
Aktgjykimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët e tjerë të trupit gjykues: Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.
Gjykatësja Namani-Hajra deklaroi se Gashi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim, derisa shtoi se ndaj tij shqiptohet edhe dënimi plotësues-ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Duke e arsyetuar vendimin, gjykatësja ka theksuar se në rigjykim shumica e seancave janë mbajtur të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe tha se i akuzuari ka “tejkaluar kompetencat zyrtare”.
Fillimisht, Gjykata Themelore, më 19 korrik 2023, e kishte shpallur fajtor Gashin po me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Mirëpo, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim për dënimin e Gashit.









