Sot vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve Bllagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç, të cilët në sallën e Gjykatës Themelore të Prishtinës po përballen me akuzë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

Në këtë seancë pritet të dëshmojë Goran Tanevski, shtetas i Maqedonisë së Veriut, që në kohën e sulmit terrorist në Banjskë ishte duke pushuar me familje në hotelin Rajska Banja në Banjskë. Ky i fundit, sipas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, dëshminë do ta kryejë përmes video-lidhjes.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të mos procedohet me propozimin për gjykim në mungesë ndaj 42 të akuzuarve të tjerë.

Aktakuza fajëson të akuzuarit se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë bërë përpjekje ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.