Pas propozimit të prokurorit Naim Abazit është mbyllur seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit shkaku i mbrojtjes së dëshmitarit të mbrojtur A2.
Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Milan Radoijçiç për sulmin e armatosur në Banjskë.
Tentim-aneksimi në Banjskë të Zveçanit ndodhi mëngjesin e 24 shtatorit të vitit 2023, saktësisht dy vite më parë.
Një grup paramilitarësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Radoijçiç, sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Kosova akuzoi për këtë sulm drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të marrë masa ndaj Beogradit zyrtar.
Nga ana tjetër, Serbia nuk u distancua nga sulmi, madje shpalli edhe ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë.









