Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare Hani i Elezit-Bllacë.

Kjo sepse Policia e Maqedonisë së Veriut ka ndalur qarkullimin, hyrje/daljet e personave, veturave dhe autobusëve.

“Ju njoftojmë se në PPKK Hani i Elezit-Bllacë, prej orës 13:40, sipas njoftimit nga zyrtarët e Policisë së RMV-së, sistemi i regjistrimit të hyrje/daljeve në RMV ka rënë dhe, me këtë rast, Policia e RMV-së ka ndalur krejt qarkullimin, hyrje/daljet e personave, veturave dhe autobusëve. Për momentin janë duke u krijuar kolona të gjata për shkak të ndërprerjes së qarkullimit. Ju rekomandojmë që të shfrytëzoni PKK Stançiq-Bellanoc apo PKK Glloboqicë. Për çdo ndryshim do t’ju njoftojmë me kohë”, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Kjo po ndodh pikërisht në ditën kur studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Këtë protestë publikisht e kanë përkrahur edhe studentët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pas 30 minutave, ka njoftuar për normalizim të qarkullimit.