Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar vendimin për pezullimin nga detyra të numrit dy të tij, Belinda Ballukut, si arbitrar, duke shtuar se nuk do t’i përgjigjet me arbitraritet.

I pari i socialistëve u pyet në lidhje me këtë gjatë një konference për media me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Rama tha se për të, ruajtja dhe mbrojtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, janë parakusht.

“Mbrojtja e pavarësisë dhe ruaja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për cdo qëndrim nga ana jonë sepse siç thotë një fjalë e mençur që mua më pëlqen shumë, kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë”, tha kryeministri shqiptar.

Kreu i socialistëve tha se ky është një rast unikal në historinë e Evropës, ku një prokuror dhe gjykatës janë mbledhur kokë më kokë për ta pezulluar nga detyra një anëtar qeverie. Ai ka thënë se edhe në këtë rast ekstrem, ku sipas tij gjyqësori ka rrëmbyer kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, zgjedhja është për ta ruajtur dhe mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit.

“Nëse një prokuror special dhe një gjyqtar kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i ekzekutivit, duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht edhe në këtë rast ekstrem”, shtoi Rama

“E thënë drejtpërdrejt ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të tillë me asnjë lloj arbitrariteti”.

Rama tha se kjo është “një epokë e re për Shqipërinë”, të cilën e ka sjell shumica qeverisëse që ai e udhëheq.

“Nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndër sa arsyet themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe pa diskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë dhe në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye”, tha Rama.

Ndryshe, zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri i rëndon akuza për shkelje të barazisë në tenderë dhe ankande publike qysh nga 31 tetori i këtij viti.

Ajo dyshohet të ketë bërë shkelje në dy procese: atë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe atë për ndërtimin e unazës së jashtme të Tiranës.