Kosova do të mbajë zgjedhje më 28 dhjetor, pas një bllokade politike që zgjati një vit, e cila çoi në shpërndarjen e Parlamentit dhe la një vrimë prej 1 miliard eurosh në financat e brishta të këtij vendi të vogël ballkanik.
Partia Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit në shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën apo të gjejë një partner të gatshëm koalicioni pas një fushate të ashpër.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se shumëkush frikësohet se një përsëritje e kësaj situate mund ta zhysë shtetin më të ri të Evropës në një krizë edhe më të thellë, vetëm katër muaj para se Parlamenti të duhet të votojë për presidentin e ri dhe ndërsa afrohen afatet për ratifikimin e kredive ndërkombëtare.
“Këto zgjedhje do të jenë më të rëndësishmet në historinë e afërt të Kosovës, sepse po vijnë pas një viti bllokade, por edhe katër muaj para zgjedhjes së presidentit të ri”, tha analisti politik Artan Muhaxhiri.
“Nëse Kurti fiton sërish me rreth 42%, e gjithë kjo bllokadë do të përsëritet, sepse hendeku mes Kurtit dhe partive të tjera është i madh dhe i pakapërcyeshëm”.
Në Kosovë sondazhet nuk publikohen, prandaj ka pak tregues se si do të shkojë votimi.
Megjithatë, shkruan Reuters, duket e pamundur që ndonjë nga partitë kryesore opozitare të jetë e gatshme të formojë qeveri me Kurtin, për të cilin thonë se ka nxitur tensione me pakicën etnike serbe në veri të Kosovës, ka bërë pak për përmirësimin e standardit të jetesës dhe ka dëmtuar reputacionin e Kosovës jashtë vendit.
Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për bllokadën dhe mbetet publikisht optimist se do të fitojë 500 mijë “zemra” të nevojshme për të siguruar shumicën absolute.
Në një tubim këtë javë, ai premtoi rritje pagash, shpenzime prej një miliard eurosh në vit për investime kapitale dhe krijimin e një njësie të re prokuroriale për të luftuar krimin e organizuar.
“Tani besoj se kurrë më parë nuk ka qenë më reale se tani të kemi Kurti 3,” i tha ai këtë muaj televizionit lokal Kanal 10, duke përdorur termin e tij për mandatin e tretë.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e SHBA-së, e cila përfshinte edhe fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kundër forcave serbe që po zhvillonin një fushatë brutale për të shtypur një kryengritje nga shumica shqiptare etnike prej 90%.
Sipas Reuters, pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare që atëherë, vendi me 1.6 milionë banorë ka luftuar me varfërinë, paqëndrueshmërinë politike dhe krimin e organizuar.
Mandati i parë i Kurtit ishte i vetmi rast kur një qeveri e Prishtinës ka përfunduar një mandat të plotë.
Paqëndrueshmëria u shfaq qartë këtë vit, kur u deshën 73 votime gjatë gjashtë muajve për të zgjedhur kryetarin e parlamentit – një pozitë që duhej plotësuar përpara se partia fituese të mund të provonte të formonte qeverinë.
Edhe atëherë, Kurti nuk arriti të sigurojë shumicën dhe u tërhoq për t’i hapur rrugë aleatit të tij, Glauk Konjufca. Kur edhe Konjufca dështoi, presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e dhjetorit.
“Për momentin, shteti nuk është funksional. Gjithçka këtu duhet të ndryshojë, sepse asgjë nuk funksionon”, tha Shaip Gashi, 79-vjeçar nga Prishtina.
Reuters shkruan se pasojat kanë qenë të rënda për financat e Kosovës, të cilat tashmë janë të rënduara nga sanksionet e Bashkimit Evropian, të vendosura për atë që BE-ja e quajti rolin e Kurtit në nxitjen e tensioneve me serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën.
BE-ja pritet t’i heqë këto masa pasi kryetarët serbë u inauguruan pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor.
Megjithatë, rreth 880 milionë euro (1.03 miliardë dollarë) fonde të BE-së për buxhetin e Kosovës janë vonuar, ashtu si edhe 127 milionë euro mbështetje financiare nga Banka Botërore, përfshirë fonde për forcimin e sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit.
Këto fonde janë urgjentisht të nevojshme në një nga vendet më të varfra të Evropës, që mbetet prapa fqinjëve të Ballkanit në të dy sektorët.
Banka Botërore i tha Reuters-it se 90 milionë euro nga kjo mbështetje do të anulohen nëse nuk ratifikohen nga Parlamenti i Kosovës deri më 13 shkurt.
Afatet për pjesën tjetër janë në prill dhe maj.
Edhe një pjesë e fondeve të BE-së mund të jetë në rrezik, kanë thënë politikanët. Një zgjedhje pa rezultat të qartë mund t’i rrezikojë të gjitha këto fonde nëse parlamenti nuk formohet shpejtë.









