Tek tani, pas raportimit të VOX Kosova, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) – institucion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë – në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, ka filluar procesin e asgjësimit të 35 mijë e 170 kilogramëve peshk të cilët janë me krimba të llojit Anisakis simplex.
Ky veprim thuhet se po kryhet “me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë”.
Më 25 shtator, VOX Kosova raportoi se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, dhe AUV-i, ndonëse e kishin konstatuar praninë e krimbave në peshq dhe përkundër se kishin marrë vendim për asgjësim dhe e kishin fituar rastin në Gjykatën Komerciale, kishin lejuar shitjen e peshqve të krimbosur.
AUV-it i ishin dashur dy ditë kohë për të reaguar në lidhje me hulumtimin e VOX-it.
Ata kishin bërë dy reagime, të dyja skandaloze. Fillimisht kishin njoftuar se do të asgjësojnë mijëra kilogramë peshq të ngrirë me krimba.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë”, thoshte AUV në një përgjigje për mediat.
Ndërsa, më vonë thanë se peshku i ngrirë me krimba Anisakis simplex është i sigurt për konsum.
“Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta ua ka shkatërruar aftësinë për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thuhej ndër të tjera në njoftimin tjetër të AUV-it.
Asgjësimi i peshqve me krimba po bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680.









