Nëse ka një moment që rrënoi arkitekturën e akuzave 27-vjeçare ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përballja pesëminutëshe e Ben Emmerson me Fred Abrahams.
Avokati mbrojtës e shkatërroi dëshminë e përfaqësuesit të Human Rights Watch, duke zbuluar se prapa “fakteve” të tij fshihej vetëm një burim: aparati propagandistik i Serbisë.
Megjithatë, nga ky debakël që e përjetoi nën betim e publikisht, Abrahams po tenton të ringrihet, pasi ka marrë zemër nga verdikti me dënime kapitale për krerët e UÇK-së.
Në një podcast nga Haga, më 8 tetor, ai shprehet me bindje se dënimi ishte i pritshëm dhe i natyrshëm, teksa shfaq besim të palëkundur në provat e prokurorisë, pjesë e të cilave është edhe ai me të papërtetat e tij.
“Po e ndiqja nga afër rastin. Dhe kur e shikoja, nuk mund ta dije kurrë se çfarë do të ndodhte. Natyrisht, nuk e dija rezultatin, por kur shikoja atë që ishte paraqitur, dhe një pjesë e saj ishte paraqitur në seanca të mbyllura, thashë: Mendoj se do të shpallen fajtorë”, deklaron Abrahams.
Abrahams fluturon aq lart sa shpërfill pa hezitim dëshminë e figurave si Wesley Clark apo James Rubin, duke i trajtuar si deklarata politike pa peshë faktike.
“I dëgjova ato dëshmi dhe thashë: Nuk mendoj se kjo do t’i ndihmojë aspak mbrojtjes së tyre, sepse këta janë politikanë të nivelit të lartë dhe zyrtarë diplomatikë që po japin mendimet e tyre, madje të gjithë me interesa personale, sepse, për shembull, Wesley Clark po mbronte fushatën e nënshkrimeve të karrierës së tij, ose Jaime Rubin e të tjerë. Prandaj, nuk m’u dukën aspak bindës sa u përket fakteve”.
Në të njëjtën kohë, ai u jep shumë kredibilitet e autoritet dëshmitarëve të prokurorisë, me arsyetimin se ata ishin “njerëz të terrenit”.
“Ndërsa, në anën tjetër, kishit dëshmitarë të prokurorisë nga OKB-ja, OSBE-ja dhe KFOR-i. Kishit diplomatë që ishin më të angazhuar në operacione dhe në terren, që kishin ndërveprime të përditshme me UÇK-në dhe me serbët, dhe që gjithashtu dëshmonin”.
Paradoksi këtu është absurd, natyrisht.
Dëshmitarët e diplomacisë e të ushtrisë amerikane shpallen “pa njohuri terreni”, kur dihet se prapa vetes kishin një armatë ushtarake e diplomatike që raportonte nga terreni, ndërsa vetë Abrahams – i cili pranoi se nuk kishte shkelur në vendngjarje e nuk kishte intervistuar asnjë dëshmitar – shfaqet bashkë me të tjerët si gardian i së vërtetës.
Në fakt, kjo dëshirë, ky zell i tij për të parë dënimin e UÇK-së nuk doli pasi verdikti u shpall.
Dy ditë para 16 shtatorit, në një opinion, ai madje u kujdes ta zgjeronte rrethin e fajit, duke akuzuar edhe Perëndimin për tolerim të krimeve.
“Në fund të fundit, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit – ato të vrasjes, torturës, përndjekjes dhe zhdukjeve – për të cilat janë akuzuar Thaçi dhe të tjerët, u toleruan nga qeveritë që kishin ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave të Millosheviçit për shkak të – siç e formuloi Presidenti i SHBA-së Bill Clinton – ‘imperativit moral’”, shkruante ai.
E vërteta për Abrahams është se e gjithë kjo nuk është e rastësishme.
Ai ishte përherë në anën e spekulimeve e manipulimeve kur bëhej fjalë për UÇK-në.
“Në prill të vitit 2008, kur Carla Del Ponte hodhi pretendimet për trafikim organesh, Abrahams dhe Human Rights Watch u nxituan t’i jepnin vulën e besueshmërisë, e madje flisnin se ata kishin edhe më herët informacione të mirëkonfirmuara.
“Human Rights Watch ka siguruar informacione dhe dokumentacion të pavarur që i jep besueshmëri dhe konfirmim shumë gjërave që Del Ponte shkruan rreth abuzimeve të pasluftës në Kosovë”.
Por, çfarë përbënte “kredibilitet” për Abrahams asokohe? Propaganda serbe?
Me gjasë, po.
Kur senatori Dick Marty vdiq, Abrahams e shpalli atë “heroin e të drejtave të njeriut” dhe e lartësoi raportin e tij për trafikim organesh nga ana e UÇK-së — i cili, në fakt, nuk u vërtetua kurrë pas disa hetimesh.
E vetmja gjë që u vërtetua për atë raport ishte se u hartua me materiale nga prokuroria e diplomacia serbe.
Kosova e ka parë këtë rrugëtim e konstruksion të qëllimshëm me prapavijë politike për ta dënuar UÇK-në.
E ka parë edhe në përmbledhjen e aktgjykimit, e do ta shohë me gjasë edhe në versionin e plotë, që sigurisht do të jetë bash si raporti i Abrahams: frazeologjik, i pafaktuar dhe totalisht gabim.








