Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025, duke evidentuar ndërhyrje të larta qeveritare në gjyqësor, kufizime në lirinë e shprehjes dhe tejkalim të rregullave kushtetuese për ndarjen e pushteteve.
Raporti thekson kritikat që anëtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë bërë sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që ndërhyrjet e tilla të ndalen dhe të respektohet pavarësia e plotë e institucioneve të drejtësisë.
“Gjatë periudhës së raportimit ka pasur kritika nga anëtarë të qeverisë ndaj sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha rastet e tilla të ndërhyrjes së papërshtatshme duhet të shmangen dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor duhet të respektohet në çdo kohë”, thuhet në raport.
Në kapitullin për lirinë e shprehjes, Komisioni akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti për përdorim të gjuhës fyese ndaj mediave gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin, përdorën gjuhë fyese ndaj mediave”, thuhet në raport.
Në raport janë përmendur gjithashtu ndërhyrjet politike në agjencitë e pavarura dhe problemet institucionale gjatë procesit zgjedhor.
“Ndërhyrjet politike, mangësitë institucionale dhe vonesat organizative cenuan tërësinë e procesit zgjedhor. Institucionet kryesore, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), u përballën me presion politik”.
Një tjetër pjesë e raportit ndalet në vendimin e Gjykatës Supreme për ndarjen e pushteteve, i cili thotë se nuk mund të ushtrohet në të njëjtën kohë edhe funksioni legjislativ dhe ai ekzekutiv.
“Gjykata Supreme lëshoi një vendim të rëndësishëm lidhur me ndarjen e pushteteve, i cili përcakton se është e papajtueshme mbajtja e funksioneve legjislative dhe ekzekutive njëkohësisht. Ky vendim afekton Kryeministrin dhe disa ministra që vazhdojnë të mbajnë mandatin e deputetit”, theksohet aty.
Në fund, raporti vë në dukje se fushata zgjedhore u shënua nga tone përçarëse dhe retorikë konfrontuese, kryesisht nga partia në pushtet.
“Fushata u shënua nga tone përçarëse dhe retorikë konfrontuese, kryesisht nga radhët e partisë në pushtet”, potencohet në raport.









