Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dalë me raportin e përditësuar për datat 09 dhe 10 janar lidhur me situatën me vërshime në Kosovë. Në raport, siç pak a shumë është shkruar edhe në raportet e mëparshme, Agjencia thekson se situata me vërshime vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme.
Nuk është raportuar për humbje jete, ndërsa është thënë se rënia e sasisë së të reshurave të shiut ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e gjendjes në teren.
Në raportin e publikuar, AME ka radhitur intervenimet që ka kryer gjatë fazës së raportimit, intervenime që kryesisht lidhen me çështje teknike dhe jo vështirë të menaxhueshme, përjashto një evakuimi të një familjeje në Mitrovicë.
Niveli i ujit në lumenj dhe përrenj ka rënë gradualisht, ndërsa rreziqet kryesore gjatë periudhës raportuese kanë qenë dhe mbesin reshjet e borës, ngricat në rrugë dhe vështirësitë në qarkullim.
Ky autoritet ka ritheksuar se qendra operative e saj dhe strukturat gjegjëse për Mbrojtje, Shpëtim dhe Ndihmë mbesin të gatshme për monitorim dhe reagim gjatë gjithë kohës. Numri kontaktues për çdo emergjencë eventuale është 112.









